Sot më 24 nëntor kryetarët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit të Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media ku morën pjesë: Ismajl Ajeti kryetar i LRF të Prishtinës, Agim Maloku, kryetar i LRF të Prizrenit, Iljaz Mjaku, kryetar i LRF të Ferizajt, Ali Zasella, kryetar i LRF të Mitrovicës, Malazog Hoxha, kryetar i LRF të Gjilanit, Ismet Ahmeti, sekretar i LRF të Pejës dhe Sadik Byci, sekretar i LRF të Gjakovës. Në emër të kryetarëve të LRF-së, mediat i ka përshëndetur, z.Ismajl Ajeti, i cili më pas ka shpalosur arsyet e kësaj konference. “E kemi thirrur këtë konferencë për ta bërë publike kërkesën tonë drejtuar kryetarit të FFK-së, z. Fadil Vokrri, për t’u rikandiduar për postin e kryetarit, duke marrë parasysh punën e madhe dhe momentin e ndjeshëm për futbollin kosovar në raport me komunitetin ndërkombëtar të futbollit. Me rëndësi të veçantë është vazhdimi i procesit të anëtarësimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA gjegjësisht finalizimi i saj, ku roli i kryetarit Vokrri me bashkëpunëtorë ka qenë krucial, prandaj konsiderojmë se është edhe e moralshme dhe domethënëse që në krye të saj të jetë z. Vokrri. Gjithsesi, mbajtja gjallë e futbollit kosovar dhe të gjitha garave përkatëse në kushte jashtëzakonisht të vështira ishte meritë e të gjithë lojtarëve, sponsorëve, trajnerëve, tifozëve dhe të tjerëve dhe njëkohësisht ndërkombëtarizimi i tij na shtynë që të kërkojmë në mënyrë të pa rezervë rikandidimin e z. Fadil Vokrri, i cili është edhe simbol i kësaj loje më të popullarizuar në botë. Pothuajse të gjithë delegatët dhe kryetarët e shtatë rajoneve jemi unik dhe kërkojmë ri kandidimin e kryetarit Vokrri. Kjo kërkesë është protokolluar në administratën e FFK-së dhe presim vendimin pozitiv të kryetarit dhe të KE të FFK-së”, ka thënë në fjalën e tij kryetari i LRF-së, z. Ismajl Ajeti.