Kulmi i Gala Mbrëmjes “Laureatët 2023” ishte me shpalljen e “Futbollistit më të mirë të vitit”, epitet ky që i takoi qendërmbrojtësit të FC Ballkani dhe Kombëtares së Kosovës, Lumbardh Dellova. 2023-ta ishte një vit i jashtëzakonshëm për këtë talent të shquar i cili me paraqitjet e tij i ka sjellë lavdi futbollit kosovar.

Lumbardh Dellova ka shfaqur një formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti. Duke qenë pjesë e FC Ballkanit, ai me punën e tij të palodhshme ka kontribuar në fitimin e titullit të kampionit në Albi Mall Superligë, por ka shkëlqyer edhe në skenën ndërkombëtare me pjesëmarrjen në fazën e grupeve të UEFA Conference League.

Paraqitjet e tij të jashtëzakonshme nuk u ndalën këtu. Lumbardh Dellova dha një kontribut të pamohueshëm në Kombëtaren e Kosovës, duke shfaqur talentin e tij dhe duke treguar një nivel të lartë profesionalizmi në çdo ndeshje.

Me votat e gazetarëve sportivë, Lumbardh Dellova është shpallur me plot meritë “Futbollisti i Vitit”. Ai mblodhi 108 vota të gazetarëve, duke lënë pas vetes bashkëlojtarin e tij te FC Ballkani, Nazmi Gripshi, me 76 vota.

Çmimin për Dellovën e ndau presidenti Agim Ademi.