16 dhjetor, 2023 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 18-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Malisheva ka befasuar Dritën, duke e mposhtur në Gjilan, me rezultat 2:1. Për Malishevën kjo ishte fitorja e nëntë në këtë edicion, duke e mbyllur kësisoj stinorin vjeshtor në kuotën e 29 pikëve. Drita kaloi e para në epërsi me golin e pestë nga Blerim Krasniqi, mirëpo mysafirët reaguan shpejt. Fillimisht Drilon Hazrollaj barazoi shifrat në minutën e 17-të, kurse Altin Aliu me golin e shënuar në kohën shtesë së pjesës së parë vulosi fitoren e Malishevës. Fitore si mysafir ka realizuar edhe Feronikeli 74, që e ka mposhtur Fushë Kosovën në Lipjan, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën nga Drenasi e shënoi Musa, në minutën e 9-të. Ndërkohë, Dukagjini ka shënuar fitore para tifozëve të vet në përballje me Gjilanin, po ashtu me rezultat 1:0, me golin e Nezirit, në minutat shtesë të ndeshjes.