28 maj, 2022 – Skuadra e Malishevës do të vazhdojë të jetë pjesë e BKT Superligës, ngase ka shënuar fitore në ndeshjen e barazhit kundër skuadrës së Vushtrrisë, me rezultat 3:1, e cila u zhvillua të shtunën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Malisheva pati një paraqitje shumë të mirë dhe arriti të krijojë epërsi prej dy golash në pjesën e parë. Fillimisht realizoi Yoan Marc-Olivier pas asistimit të Ronald Sobowales. Epërsinë e dyfishoi Mërgim Pefqeli në minutën e 26-të, pas asistimit të Marc-Olivierit. Në minutën e 77-të për Malishevën u akordua penallti. Me këtë rast tifozët e Vushtrrisë të pakënaqur bën sjellje vandale, duke shqyer rrjetën e portës dhe më pas edhe domoluan ulëset e stadiumit. Kjo bëri që të ndërhyjnë organet e rendit dhe ta zbrazin tribunën ku ishin të vendosur tifozët vushtrrias. Pas 15 minutash ndërprerje vazhdoi loja dhe Pefqeli realizoi nga pika e bardhë për 3:0. Krejt në fund, Vushtrria realizoi golin e nderit, të cilin e realizoi i riu, Medin Gashi.