10 korrik, 2018 – Skuadra kampione e Kosovës, Drita, ka pësuar humbje në ndeshjen e parë kundër kampiones së Suedisë, Malmo, në kuadër të rrethit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, që u zhvillua, sonte, në një atmosferë madhështore, në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, me rezultat 0:3. I pranishëm në këtë ndeshje ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa përkrah tij ishte edhe djali i ish-presidentit, Vokrri, Gramozi. Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim dhe kujtim të ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ndërroi jetë një muaj më parë, derisa më pas të gjithë tifozët në stadium thirrën në kor emrin e legjendës Vokrri. Malmo realizoi dy gola në pjesën e parë nëpërmjet Carlos Strandberg dhe Arnor Traustason, derisa fitoren e suedezëve e vulosi Markus Rosenberg, në pjesën e dytë. Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Suedi.