18 janar, 2024 – Gjatë dy ditëve të fundit, Federata e Futbollit të Kosovës priti me kënaqësi dy mentorët e shquar të UEFA-s, Stuart Grieve dhe Vladimir Luptak, të cilët ishin në vizitë pune në vendin tonë për të vlerësuar dhe ndihmuar zhvillimin e departamentit “Grassroots” në FFK. Ky departament ka një rol kyç në rritjen dhe zhvillimin e futbollit në vend, me synim masovizimin dhe ofrimin e mundësisë për të gjithë të rinjtë që të përfshihen në lojën e futbollit në të gjitha kategoritë.
Në ‘workshop’-in e organizuar me departamentet e tjera që janë të ndërlidhura apo ndihmojnë në projektet e departamentit “Grassroots”, mentorët e UEFA-s e bënë një vlerësim të hollësishëm të gjendjes dhe aktiviteteve të këtij programi. Ata u shprehën mjaft të kënaqur me progresin e shpejtë të FFK-së që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, duke vlerësuar veçanërisht përkushtimin për masovizimin e futbollit përmes Grassroots.
Në kuadër të vizitës së tyre, Stuart Grieve dhe Vladimir Luptak, përveç takimeve në FFK, vizituan edhe KF Rilindja në kryeqytet. Ata morën informacione mbi funksionimin e klubit, sfidat me të cilat ballafaqohet dhe sukseset e arritura. Gjithashtu, ata panë nga afër edhe zhvillimin e “Kinder Ligës” në Suharekë, një aktivitet ky i dedikuar për fëmijët deri në moshën 10 vjeç. Ata vlerësuan përkushtimin e lartë të fëmijëve ndaj lojës së futbollit dhe për mënyrën se si Grassroots ndihmon në rritjen e tyre. Po ashtu, lavdëruan edhe gjyqtarët e angazhuar në këtë aktivitet, të cilët përkundër moshës së re shfaqën vetëbesim dhe qëndrim në ndarjen e drejtësisë.
Në përfundim të vizitës, dy mentorët e UEFA-s ndanë vlerësime, këshilla, ide dhe informacione në takimin e përbashkët me ud.sekretarin e përgjithshëm, Markus Weidner dhe menaxheren e Grassroots, Albina Rrahmani. Ata siguruan se do të vazhdojnë të japin mbështetje të fortë në zhvillim të futbollit në Kosovë, teksa vizita e tyre dëshmon përkushtimin e UEFA-s në projektet Grassroots dhe përparimin e mëtejm të futbollit në vendin tonë.