23 dhjetor, 2020 – Mërgim Vojvoda është zgjedhur futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2020, duke u kurorëzuar kësisoj për herë të parë me çmimin “Fadil Vokrri” që e ndan Federata e Futbollit e Kosovës në manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit”. Ky manifestim sivjet u organizua pa praninë e mysafirëve, por vetëm me pjesëmarrjen e laureatëve të vitit dhe të anëtarëve të KE të FFK-së. Në mungesë të Mërgim Vojvodës, i cili për shkak të angazhimeve me klubin e tij Torino nuk arriti të jetë i pranishëm në këtë ceremoni, këtë çmim presidenti Agim Ademi ia ndau ndihmëstrajnerit të Kombëtares, Muharrem Sahiti.

Ndonëse mungoi në këtë manifestim, Vojvoda nëpërmjet një video-mesazhi falënderoi FFK-në që e nderoi me këtë çmim prestigjioz: “Dua t’i falënderoj të gjithë për këtë çmim. Do të kthehemi shumë shpejt në nivele më të larta, e do të aspirojmë suksese më të mëdha. Këtë e meriton Kosova, FFK-ja, populli ynë e sidomos tifozët ‘Dardanët’. Dua t’i falënderoj të gjithë bashkëlojtarët, trajnerët, e të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me mua. Faleminderit të gjithëve! Kjo është Kosova, ju dua shumë”, ka thënë Vojvoda.

Ndërkohë, gjatë kësaj ceremonie u shpalosën edhe të arriturat dhe projektet e realizuara nga FFK gjatë këtij viti, teksa të pranishmit dhe të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe Diasporë me një fjalë rasti i përshëndeti presidenti Agim Ademi. Ai me këtë rast e vlerësoi vitin 2020 si shumë të vështirë për shkak të pandemisë, teksa falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e garave dhe projekteve të FFK-së.

“Jemi detyruar ta mbajmë këtë ceremoni vetëm me laureatët për shkak të situatës së krijuar. Ishte një vit i jashtëzakonshëm, i vështirë. Ne humbëm rastin me ekipin kombëtar për të qenë në Evropian, për ta realizuar ëndrrën jetësore, por ne të gjithë bashkë e fituam betejën e jetës me COVID-19, edhe pse ky virus ka marrë goxha shumë jetë në Kosovë, për çka i shpreh ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur më të dashurit. Ka qenë një vit shumë i ngjeshur, andaj përgëzoj klubet dhe të gjithë të përfshirët në futboll që kontribuuan që t’i mbyllim garat me sukses edhe në këto rrethana. Më gëzon fakti që po thuajse asnjë futbollist nuk ka qenë i infektuar, derisa më gëzon fakti që nuk kemi pasur futbollistë të lënduar përkundër faktit që kampionati ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i ngjeshur”, ka theksuar presidenti Ademi, i cili ka falënderuar edhe Komitetin Ekzekutiv dhe Administratën e FFK-së për punë të jashtëzakonshme, si dhe mediat për kontributin e tyre, teksa ka shprehur besimin e tij se shumë shpejt Kosova do të jetë edhe pjesë e eventeve kryesore të futbollit evropian e botëror.

Çmimi i futbollistit më të mirë të Superligës për vitin 2020 në bazë të votave të gazetarëve sportivë anëtarë të SHGSK-së i takoi mbrojtësit të Ballkanit, Armend Thaqi. Ai u shpreh i lumtur për këtë vlerësim: “Është motiv që në të ardhmen ta dëshmoj se e kam merituar këtë çmim. Shpresoj që viti 2021 të jetë më i mirë për të gjithë ne”, ka thënë Thaqi.

Epiteti i golashënuesit më të mirë i takoi sulmuesit të Ballkanit, Mirlind Daku, i cili ka shpërthyer me gola në këtë stinor të garave, derisa çmimi i lojtares më të mirë i ka takuar futbollistes së Mitrovicës, Blerta Shala, teksa KFF Mitrovica u shpall klubi më i mirë te femrat.

Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Ardian Nuhiu i Dritës, teksa ky nuk ishte çmimi i vetëm te klubi kampion, pasi Drita u shpall edhe klubi më i mirë i vitit.

Feronikeli u shpall klubi më ‘fair-play”, derisa Mervan Bejtullahu ishte gjyqtari më i mirë i vitit. Në futsall çmimi i lojtarit më të mirë i takoi Jeton Rukovcit, derisa klubi i tij  FC Prishtina u zgjodh ekipi më i mirë i vitit.

Me mirënjohje  në këtë manifestim FFK i nderoi edhe institucionet dhe kompanitë që janë partnere të saj, UEFA-në, MKRS-në, Policinë e Kosovës, SHGSK-në,  Bankën TEB, Fourteen, Hotel Emerald, Air Prishtina, KEDS, Sigal dhe ArtMotion,  derisa me mirënjohje post-mortum u nderuan 51 personalitete që ndërruan jetë gjatë këtij viti, e të cilët kontribuuan ndër vite për futbollin e Kosovës.

Ndërkaq, me mirënjohje të veçanta për kontributin e dhënë në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së u nderuan Luan Vokshi dhe Bekim Rexhepi.

Laureatët e vitit
Futbollist i vitit 2020 – fitues i çmimit “Fadil Vokrri”
Mërgim Vojvoda

Golashënuesi më i mirë i vitit: Mirlind Daku

Futbollisti më i mirë i Superligës i zgjedhur me votat e SHGSK-së:
Armend Thaqi  (FC Ballkani)

Top 11-shja e Superligës për vitin 2020:

Faton Maloku ( FC Drita)
Armend Thaqi (FC Ballkani)
Arber Potoku (FC Ballkani)
Ardian Cuculi (FC Drita)
Leutrim Bekteshi (FC Prishtina)
Hamdi Namani (FC Drita)
Endrit Krasniqi   (FC Prishtina)
Gerhard Progni (FC Gjilani)
Mirlind Daku (FC Ballkani)
Ermal Krasniqi (FC Ballkani)
Xhevdet Shabani (FC Drita)

Klubi më i mirë për vitin 2020  FC “Drita”

Klubi më Fair Play: FC “Feronikeli”

Futbollistja më e mirë e vitit: Blerta Shala (KFF Mitrovica)

Klubi më i mirë në futbollin e femrave: KFF Mitrovica

Trajneri më i mirë i vitit 2020: Ardian Nuhiu

Gjyqtari më i mirë i vitit 2020: Mervan Bejtullahu

Lojtari më i mirë në futsall: Jeton Rukovci FC “Prishtina

Klubi më i mirë në futsall: FC “Prishtina”