Sot shënojmë një tjetër datë të rëndësishme në historinë e re të futbollit të Kosovës. 7 vjet më parë, më 13 maj, Federata e Futbollit e Kosovës, u bë anëtare e familjes së madhe të futbollit – FIFA. Kjo ndodhi vetëm 10 ditë pas anëtarësimit në UEFA dhe kësisoj futbollit të Kosovës iu hapën të gjitha dyert e përfaqësimit në skenën ndërkombëtare.
Anëtarësimi në UEFA e FIFA shënoi një kapitull të ri dhe historik për futbollin e Kosovës, pasi u kurorëzua sakrifica dhe puna e palodhshme e shumë gjeneratave.
Gjatë këtyre shtatë viteve, futbolli ynë ka shënuar hapa të mëdhenj përpara në të gjitha fushat. Investuam në përmirësimin e infrastrukturës sportive, duke ndërtuar fusha stërvitore e duke krijuar kushte të volitshme për lojë në stadiumet ku klubet e zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Vëmendje të madhe i kushtuam edhe edukimit të kuadrove të reja në të gjitha segmentet si dhe krijimit të mundësive e hapësirave për gjithëpërshirje në futboll.
Gjatë këtij rrugëtimi krijuam raporte të shkëlqyeshme me FIFA-në e UEFA-në, teksa vizita e presidentit Gianni Infantino, në vitin e kaluar dëshmoi respektin dhe rëndësinë që i japin këto dy institucione vendit tonë.
Në kuadër të programit të FIFA-së “Forward” kemi investuar në projekte të ndryshme, derisa në partneritet me FIFA-në e UEFA-në dhe institucionet tona shtetërore synojmë të krijojmë kushte sa më moderne për komunitetin e futbollit në çdo cep të vendit.
Në këtë ditë të rëndësishme për FFK-në dhe gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre që kanë kontribuuar në rrugëtimin e futbollit të Kosovës që nga viti 1991 e deri më sot, nën udhëheqjen e kryetarëve Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani e Fadil Vokrri.
Së bashku do të vazhdojmë të ndjekim pasionin për futbollin dhe do të punojmë me përkushtim për ta çuar futbollin tonë në nivel edhe më të lartë.
Urime e na priftë e mbara në objektivat që i kemi para vetes!
Bashkë për futbollin!
Me Kosovën në Evropian!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së