Të nderuar udhëheqës të institucioneve të shtetit,

Familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë, veteranë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare,

Tifozë të dashur, bashkëpunëtorë, miq të FFK-së, komunitet i futbollit dhe të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Sot shënojmë 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, prandaj kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të KE të FFK-së të ju përcjell urimet më të mira për 16-vjetorin e shtetësisë së vendit tonë.

17 Shkurti është shumë më tepër se sa një datë në kalendar. Është simbol i lavdisë e krenarisë, por edhe i sakrificave të pafundme të popullit tonë. Për ne, kjo datë shënon një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.

Në këto 16 vite, Kosova ka shënuar progres të ndjeshëm në të gjitha fushat e jetës, dhe sporti e veçanërisht futbolli, ka qenë një prej segmenteve më të fuqishme për të prezantuar imazhin pozitiv të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare.

Me pasionin dhe talentin e vajzave e djemve tanë në futboll, kemi arritur të krijojmë ura të reja të miqësisë dhe të bashkëpunimit me vende të ndryshme të botës.

Në këtë ditë të veçantë, shpreh dëshirën time më të thellë që 2024-ta të jetë vit i sukseseve të mëdha për sportin tonë më të dashur – futbollin.

Bashkërisht do të vazhdojmë të punojmë për përmirësimin e infrastrukturës, por edhe për arritjen e sukseseve në fushën e gjelbër, si me ekipet kombëtare, ashtu edhe me klubet tona.

Me urimet më të sinqerta për 16-vjetorin e shtetësisë sonë dhe me dëshirën për të festuar me krenari dhe bujari, uroj që kjo ditë të na shërbejë si shtytje për arritje dhe suksese më të mëdha.

Gëzuar Pavarësinë për jetë e mot!

Zoti e bekoftë Kosovën dhe të gjithë qytetarët e saj!

Me respekt,
Agim Ademi, President i FFK-së