16 mars, 2022 – Prishtina, Drita dhe Llapi janë tri skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll. Prishtina ka arritur ta eliminojë Ballkanin nga gara e kupës, duke e mundur 2:1, pas vazhdimeve në Suharekë. Ndeshja në kohën e rregullt u mbyll baras 1:1. Të parët në epërsi kaluan prishtinasit me golin e Qëndrim Zybës, në minutën e 24-t, derisa shifrat i barazoi Blend Baftiu, në minutën e 65-të. Ndërkohë, golin e fitores dhe të kualifikimit për Prishtinën e realizoi Besnik Krasniqit pas asistimit Gauthier Mankendas. Llapi ka kaluar tutje duke e mundur Gjilanin në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 2:0. Të dy golat llapjanët i shënuan në fund të ndeshjes. Fillimisht, realizoi Drilon Fazliu në minutën e 85-të dhe më pas në kohën shtesë shënoi Alef Firmino. Ndërkaq, Drita pati punë më të lehtë, duke e mundur Ulpianën, me rezultat bindës 3:0. Astrit Fazliu e hapi serinë e golave në minutën e 23-të nga penalltia, deria në pjesën e dytë realizuan edhe Almir Ajzeraj në minutën e 58-të dhe Albin Krasniqi në minutën e 78-të. Skuadra e fundit gjysmëfinaliste do të përcaktohen nesër në ndeshjen Ramiz Sadiku – KEK-u.