Sot më 5 nëntor në selinë e FIFA-së, presidenti i saj z. Sep Blatter ka pritur me nderime të larta me flamurin e Kosovës delegacionin e FFK-së, kryetarin Fadil Vokrri, sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, bashkë me ministrin e MKRS-së z. Memli Krasniqi dhe këshilltarin e tij Malësor Gjonbalaj. Kryetari Vokrri dhe Ministri Krasniqi në këtë takim e falënderuan z. Blatter për kohën që ka ndarë për këtë takim dhe për ndihmën e madhe që ka dhënë ai deri me tash në përparmin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës, në veçanti për lejimin e ndeshjeve miqësore zyrtare ndërkombëtare. Krerët e FFK-së e informuan zotin Blatter me ecurinë e ndeshjeve miqësore që ka zhvilluar deri më tash Kosova, përmes të cilave Kosova ka treguar pasionin e madh për lojën e futbollit si një mjet të bashkimit të njerëzve, si dhe FFK ka treguar cilësi të lartë në organizimin e mirë të ndeshjeve, duke përmbushë synimin që ka futbollit dhe duke respektuar dhe fair- playn. Në vazhdim kryetari Fadil Vokrri dhe ministri Krasniqi e informuan kreun e FIFA-s edhe me investimet që janë bërë deri më tash në zhvillimin e futbollit në Kosovë, si në angazhimin e vazhdueshëm për përmirësimin e infrastrukturës si dhe në zhvillimin e garave kombëtare në përputhje me rregullat ndërkombëtare. Kryetari Vokrri në këtë takim e njohu z. Blatter se rrethanat në Kosovë po ndryshojnë rrënjësisht në të mirë të njohjes së futbollit të Kosovës dhe shfaqi shqetësimin e tij duke i thënë se: “Padrejtësisht futbollistët për këto 20 vjet kanë qenë peng i politikës dhe kjo nuk duhet të zgjasë me. Futbollistët tanë kërkojnë asgjë më shumë veçse një të drejtë elementare siç e kanë të gjithë futbollistët në botë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dhënë një shembull për këtë duke ia hapur derën Kosovës dhe vullneti i sportistëve tanë nga ky lajm është rritur shumë. Ne jemi një vend që e duam futbollin dhe duam që edhe ne të tregojmë pasionin dhe potencialin tonë dhe është thjeshtë një e drejtë elementare njerëzore që kërkojmë”. Ndërkaq Ministri Krasniqi tha se mohimi i të drejtës për të zhvilluar gara zyrtare në çdo nivel në futboll ka shkaktuar mjaft sfida në vend në zhvillim më të madh të futbollit dhe ndërtimin e një perspektive të shëndoshë të shoqërisë përmes sportit. i shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është thellë e përkushtuar që të respektojë autonominë e plotë të FFK në punën e saj, por edhe të çdo institucioni tjetër sportiv. Por shtoi se Qeveria është mjaftë e përkushtuar që të punojë në realizimin e një të drejtë të futbollistëve të Kosovës. Kemi luajtur dhe po luajmë rolin e lehtësuesit dhe mbështetësit në realizmin e objektivave të institucioneve sportive dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Ne jemi mbështetës të FKK-së edhe në procesin e ndërkombëtarizimit, për çka ata kanë punuar qe një kohë shumë të gjatë dhe do të jemi përkrah tyre dhe futbollistëve tanë edhe në proceset e ardhshme që ndërlidhen me arritjen e qëllimit human për të qenë pjesë e barabartë e botës së futbollit”. Nga ana e tij presidenti i FIFA-s Sepp Blatter duke i përgëzuar për punën dhe sukseset e deritashme, i ka konfirmuar delegacionit të Kosovës mbështetjen parimore të tij dhe të FIFA-s, duke u shprehur se pas pranimit të FFK-së në UEFA, pranimi në FIFA do të ndodh shumë shpejt. “Për fat të keq, pengesa legale për pranim në UEFA ekziston ende, por unë shpresoj se ju do të arrini që ta tejkaloni këtë pengesë, ashtu që futbollistët e Kosovës të kenë mundësi më shumë për tu prezantuar në arenën ndërkombëtare”. Ministri po ashtu e njoftoi për propozimin për ndarjen e Medaljes Presidenciale të Meritave për çka Blatter i falënderoi. Delegacioni i FFK-së bashkë me ministrin Krasniqi do të vazhdojnë edhe gjatë ditës me takime me personalitete të ndryshme me ndikim në futbolli botëror për të marrë mbështetje për ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës.