7 tetor, 2023 – Futbollistet e Mitrovicës kanë shënuar fitore kundër EP Hajvalisë, në derbin e stinorit në Sigal Superligën e Kosovës, në konkurrencën e femrave. Ndeshja e zhvilluar, të shtunën, në stadiumin “Riza Lushta”, në Mitrovicë është mbyllur me rezultat 2:0, në dobi të skuadrës vendase. Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, derisa në pjesën e dytë ishin futbollistet e drejtuara nga Seid Onbashi që u treguan më këmbëngulëse dhe arritën të gjejnë rrugën e golit. Fillimisht realizoi Bahtije Miftari, në minutën e 52-të, derisa fitoren e mitrovicasve e vulosi Kaltrina Biqkaj, me golin e shënuar në minutën e 82-të. Pas kësaj fitoreje, Mitrovica kryeson e vetme renditjen, me 18 pikë, derisa EP Hajvalia tani ka tri pikë më pak pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara deri më tash.