Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, z. Muamed Sejdini ju drejtohet me këtë:

T E L E G R A M   U R I M I

me rastin e 4 vjetorit të pranimit të Federatës së FUtbollit të Kosovës si anëtare e UEFA-së.

I nderuari president i FFK-së, z. Agim Ademi, të nderuar anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të nderuar vëllezër kosovarë,

Duke ua uruar përvjetorin e katërt nga hyrja zyrtare e juaj në familjen e madhe evropiane, dua t’jua përcjell përgëzimet më të sinqerta edhe për ecurinë shumë pozitive që keni bërë gjatë kësaj periudhe. Përmirësimi i vazhdueshëm i futbollit vendor, investimet në infrastrukturë dhe mbi të gjitha ecuria e ekipit përfaqësues të Kosovës rrumbullaksojnë vlerësimet më pozitive për këto katër vite.

Kjo tregon se Kosova meritoi plotësisht vendimin e sjellur në samitin e UEFA-së më 3 maj 2016 në Budapest të Hungarisë.

Ju treguat në vepër se jo vetëm e doni futbollin, por edhe punoni me shumë përkushtim për avansimin e tij në të gjitha sferat.

Në emër të Këshillit Drejtues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe gjithë komunitetit futbollistik në vendin tonë, ju uroj këtë përvjetor, duke ju dëshiruar shumë suksese në të ardhmen.

Me respekt,
Muamed Sejdini,
President i Federatës së Futbollit të Maqedonisë