foto-1-524 tetor, 2016 – Sot në FFK u mbajt një konferencë për media, me rastin e dorëzimit të çeçeve nga UEFA, për skuadrën kampione të Kosovës, KF”Feronikeli” dhe fituesin e Kupës së Kosovës, FC ”Prishtina”. Me këtë rast nënkryetari i FFK-së, z. Agim Ademi, theksoi se falë angazhimit dhe këmbëngulësisë së presidentit të FFK-së, z. Fadil Vokrri dhe Komitetit Ekzekutiv, sot po ua dorëzojmë çeçet nga UEFA si shpërblime për këto dy skuadra, ndonëse nuk kishin arritur të licencohen për garat evropiane. FFK-ja është e lumtur  që ka arritur të sigurojë këtë shumë për klubet që është një ndihmë e madhe në këtë kohë kur kanë nevojë edhe më shumë. Ne besojmë se vitin që vjen klubet tona do të licencohen dhe do të kenë edhe shpërblimet e tyre dhe jo vetëm kaq, ka theksuar Ademi. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu vuri në dukje edhe njëherë kriteret për licencim të klubeve dhe tha se FFK-ja do të hartojë edhe një rregullore të re për licencimin e klubeve, e cila do t’u shpërndahet klubeve që të përshtatemi sa më mirë në të ardhmen. Duke e pranuar çekun kryetari i klubit, KF”Feronikeli” z. Ekrem Elshani falënderoi kryetarin Fadil Vokrri dhe FFK-në për këtë angazhim të tyre që ne sot t’i kemi këto mjete dhe theksoi se ne do t’i shfrytëzojmë ato për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve në klub. Unë besoj se ky ishte një mësim që sigurisht do të na ndihmojë për vitin tjetër që të jemi të gatshëm. Ndërkaq, nënkryetari i klubit FC”Prishtina”, z. Afrim Muqiqi, theksoi se kjo është një e mirëseardhur për klubin tonë, andaj falënderoj kryetarin Vokrri dhe sekretarin Salihu që u angazhuan që ne sot t’i gëzojmë këto mjete. Por, ne nuk duhet të kënaqemi me kaq, por duhet të punojmë që vitin tjetër t’i dyfishojmë këto shuma. Të kujtojmë se klubi i Feronikelit ka përfituar shumën prej 220 mijë eurove, ndërsa Prishtina 215 mijë euro.
foto-2-6 foto-3-4