4 mars, 2022 – Plasimi i të pavërtetave në disa portale tashmë është bërë po thuajse një gjë e zakonshme, veçmas kur është në pyetje Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli kosovar në përgjithësi. Sot në disa portale të njohura për postime të artikujve sa për të nxitur klikime është postuar lajmi se ndeshja e Ligës së Parë ndërmjet Arbërisë dhe Vushtrrisë është shtyrë për shkak se futbollistët e Arbërisë dhe trajneri i tyre kanë qenë në xhami. Ky është një tjetër mashtrim që i është bërë opinionit, ngase ndeshja në fjalë ka filluar me vonesë për shkak të mungesës së zyrtarëve policor, e jo siç raportuan me nxitim disa portale e pa marrë fare mundin për të marrë informatën zyrtare për vonesën e takimit. Futbollistët e Arbërisë ashtu sikurse ata të Vushtrrisë kanë qenë me kohë në fushën e gjelbër të stadiumit “Sami Kelmendi” në Lipjan dhe me të arritur patrulla e policisë së Kosovës, ashtu siç parashihet në rregulloret e garave, ka nisur ndeshja.
