2 shtator, 2017 – Ndeshja ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës, që u zhvillua sonte në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, është ndërprerë për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe terrenit të vështirësuar për lojë. Para fillimit të ndeshjes gjyqtari konsultoi dy kapitenët e skuadrave, Luka Modriq dhe Samir Ujkani dhe u vendos që ndeshja të fillojë. Por, duke pasur parasysh se intensiteti i shiut u shtua tek minuta e 23-të gjyqtari thirri sërish në konsultim dy kapitenët. Fillimisht u vendos që ndeshja të pezullohet për 10 minuta, por më pas pas konsultimeve me delegatin e FIFA-s, gjyqtari Stefan Johannenson mori vendim që ndeshja të mos vazhdohet sonte. Për kohën se kur do të zhvillohet ndeshja do të vendoset ndërkohë. Gjatë 22 minutave lojë Kosova pati paraqitje të mirë dhe nuk lejoi asnjëherë të kërcënohet seriozisht porta e Samir Ujkanit.