prishtina-besaSot më 29 maj, KE i FFK-së nën drejtimin e Agim Ademit, nënkryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku debatuan përgatitjet për ndeshjet e barazhit dhe ndeshjen finale të Digitalb Kupës së Kosovës. Pas diskutimeve të shumta duke analizuar mirë renditjen e skuadrave KE mori vendim që ndeshjet e barazhit për Superligë të zhvillohen më 3 e 4 qershor në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Më 3 qershor do të zhvillohet ndeshja ndërmjet skuadrës e cila renditet në vendin e 9-të në Raiffeisen Superligë dhe skuadrës që do të renditet në vendin 4-të në Ligën e parë. Ndërsa më 4 qershor do të zhvillohet ndeshja ndërmjet skuadrës e cila renditet në vendin e 10-të në Superligë dhe skuadrës së Ligës së parë që renditet e treta në tabelë. Ndeshjet do të zhvillohen nga ora 17.00. Ndërkaq, ndeshjet e barazhit për Ligën e parë dhe të dytë do të zhvillohen më 5 qershor në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot. Ndeshja e parë do të zhvillohet nga ora 14.30 dhe ndeshja e dytë do të zhvillohet në orën 17.00. Do të takohen skuadrat e Ligës së parë që renditen në vendin e 13-të dhe 14-të me dy skuadrat e renditura në vendet e dyta në grupin “A’ dhe “B”. Ndeshja finale e Digitalb Kupës së Kosovës do të zhvillohet më 7 qershor në orën 17.00 në stadiumin e qytetit në Prishtinë.