29 mars, 2017 – Sot janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës në futboll. Të dyja ndeshjet kanë përfunduar pa fitues. Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, Trepça barazoi me Besën, me rezultat 2:2. Pejanët kaluan në epërsi qysh në minutën e 6-të me golin e Qemajl Elshanit. Në minutën e 32-të Besa pati mundësi për ta shtuar epërsinë, por gjuajtja e Diar Miftarajt qëlloi traversën. Ndërkohë, në minutën e 40-të Trepça barazoi shifrat me golin e Pleurat Hajdinit. Besa e riktheu epërsinë në minutën e 63-të, me golin e realizuar nga Florent Qorraj, por shtatë minuta më vonë mitrovicasit barazuan sërish me golin e Qerimit. Vetëm një minutë para këtij goli vendasit qëlluan dy herë shtyllën. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ndërmjet Drenicës dhe Llapit, nuk pati gola. Të dyja skuadrat patën mundësi të mira shënimi, por nuk ishin sa duhet efikase para portave. Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen më 19 prill.