27 shtator, 2023 – Fusha e futbollit në Dumosh, të mërkurën, ka qenë arenë e ‘Grassroots Week’, ku janë zhvilluar aktivitete të shumta me fëmijë nga të dyja gjinitë dhe moshat, si dhe ata me nevoja të veçanta nga Komuna e Podujevës. Në këtë ditë kjo fushë ishte e mbushur me buzëqeshje të fëmijëve, të cilët e përjetonin më të bukurën që ofron futbolli – argëtimin. Pavarësisht talentit të tyre, çdo fëmijë që ishte e pjesë e këtij aktivitet përjetoi emocionet e këtij sporti. Ky aktivitet shënon hapjen e sezonit në kuadër ‘Grassroots’, program ky i UEFA-s që implementohet nga Federata e Futbollit e Kosovës. Në kuadër të këtij programi FFK realizon shumë projekte, e të cilat do të vazhdojnë të zhvillohen gjatë gjithë javëve e muajve në vijim. Aktivitetet në kuadër të ‘Grassroots” janë gjithëpërfshirëse, ku marrin pjesë fëmijët e të dy gjinive, duke filluar me vajzat 5-vjeçare në projektin ‘Playmakers’, vajzat e djemtë e klasave të 3-ta në projektin “Futbolli në Shkolla”, aktivitetet e vazhdueshme argëtuese me fëmijet me nevoja të veçanta, festivalet me minoritete etj. Këto projekte nuk kanë të bëjnë vetëm me futbollin si loje, por me futbollin si pjesë e jetës në përgjithësi, duke sjellë vlera të ndryshme si: shendeti fizik dhe psikik, socializimi, puna në grupe etj. Përmes këtyre projekteve, FFK synon krijimin e kushteve dhe mundësimin e pjesëmarrjes së gjithsecilit që dëshiron të jetë pjesë e futbollit me moton – Futbolli është për të gjithë! Kjo moto njëherësh është frymëzim dhe thirrje për të gjithë ata që duan të përjetojnë bukurinë e këtij sporti.