29 maj, 2022 – Në organizim të Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” në Gjenevë është organizuar ndeshja humanitare e yjeve të futbollit shqiptar dhe atyre zviceran, ndërmjet ekipit të Lorik Canës dhe ekipit të Johan Djorou, e cila u mbyll me rezultat 2:3. Qëllimi i kësaj ndeshjeje ishte mbledhja e mjeteve financiare për t’i ndihmuar familjet në nevojë. I pranishëm në këtë ndeshje ishte edhe presidenti Agim Ademi, teksa në mesin e mysafirëve të shumtë ishte edhe i biri i heroit Hamëz Jashari, Bekim Jashari si dhe ish-përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes. Pikërisht presidenti Ademi dhe Bekim Jashari i ndanë edhe çmimet e organizatorit për Lorik Canën dhe Johan Djoroun, të cilët ndihmuan në organizimin e kësaj ndeshje, e cila u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i bashkëatdhetarëve tanë, por edhe i qytetarëve zviceranë. Drejtësinë në këtë ndeshje e ndanë gjyqtarët kosovarë, Genc Nuza, Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj.