27 janar, 2018 – Pas ligjëratave mjaft të suksesshme dhe me interesim të madh, në vetëdijesimin dhe parandalimin e kurdisjeve të ndeshjeve, që u mbajtën javën e kaluar në rajonin e Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Suharekës, e njëjta sot ka vazhduar në Prishtinë në sallën e kuqe të Pallatit të Kulturës dhe Rinisë. Para grup-moshave U-13 deri U-19, zyrtari për integritet i FFK-së, z. Ejup Osmani, ka vënë në spikamë rëndësinë për gara të ndershme, frymë sportive, rivalitet sportiv dhe krejt kjo me një epilog si rezultat i asaj që tregohet në fushë ndërmjet dy ekipeve. Por, jo të gjithë tha tutje z. Osmani, e dëshirojnë një gjë të tillë. Gjithmonë do të gjenden individë apo grupe të interesit, që për përfitime personale dhe klanore duan të çrregullojnë mbarëvajtjen e garave. Këta individë dhe grupe për të arritur qëllimin e tyre gjejnë bashkëpunim me bastoret e deri të individët si akterë të lojës. Dhe parat e tyre vijnë kryesisht nga droga, prostitucioni dhe krimi i organizuar dhe dukurive tjera të pista, ndaj ne duhet që fuqishëm duhet t’u themi jo këtyre dukurive dhe t’i paraqesim te organet e Federatës, hetuesisë e prokurorisë, për t’i parandaluar por edhe për ta marrë dënimin e duhur e të merituar. Prandaj, nevojitet syçeltësi dhe guxim që hapur dhe pa hezitim t’u themi stop. Njihen shumë raste në botë që janë demaskuar dhe dënuar këta individë dhe grupe. Në vazhdim z. Osmani ka thënë se FFK-ja tashmë ka një organ si zyrtarin për integritet, i cili ka bashkëpunëtorët e vet dhe në bashkëpunim me UEFA-n, mbikëqyrë rrjedhën e të gjitha garave në  të gjitha rangjet dhe çdo dukuri të tillë mund të paraqitet përmes telefonit apo emailit pa pagesë dhe çdo thirrje mbetet konfendicionale.
Ligjëratat e këtilla do të vazhdojnë edhe në rajonin e Mitrovicës, Ferizajt e Gjilanit, për të përfshirë sa më shumë individë në këtë luftë të pa kompromis kundër kurdisjeve të ndeshjeve.