2 dhjetor, 2018 – Kosova dhe krerët e FFK-së nuk kishin pasur mundësi t’i shijojnë e ndjejnë emocionet e hedhjes së shortit, as të Evropianit e as të Botërorit. Kur Kosova u pranua në maj të 2016-s, në qershor zhvillohej faza finale e Evropianit, ndërkaq që shorti për Botërorin veç ishte hedhur dhe një vend në grup ishte lënë në rast pranimi të Kosovës dhe kjo u bë realitet. Ndaj, për herë të parë sot po ndjehet aroma dhe emocionet që ofron kjo ngjarje. Presidenti i FFK-së Agim Ademi i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, përzgjedhësi Bernard Challandes, trajneri Muharrem Sahiti dhe menaxheri Bajram Shala sot në Dublin do të ndjejnë emocionet e shortit derisa do mësojnë rivalët e Kombëtares së Kosovës për Euro 2020, emocione të cilat i ndjejnë gjithandej edhe tifozët “Dardanët”, që me padurim po presin të shohin se më kë do të përballet Kombëtarja jonë në këto kualifikime.