Mëngjesi i sotëm ishte i trishtueshëm për të gjithë ne që e njohëm dhe kishim mundësi ta kishim pranë e bashkëpunëtor legjendën e futbollit mitrovicas, Sadik Rrahmani. Ai u nda nga ne përgjithmonë për të ikur në përjetësi, por do të mbetet përherë në zemrat tona.

Diki, siç njihej nga i gjithë komuniteti i futbollit, ishte një person i jashtëzakonshëm, gjithmonë i gatshëm të ofronte ndihmën e tij dhe si i tillë nuk do të harrohet kurrë.

Fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar cilësitë dhe personalitetin e tij të veçantë. Me buzëqeshjen dhe energjinë pozitive, Diki arriti të na bëjë të ndjeheshim të mirëpritur dhe të dashur kurdo e kudo që takoheshim. Prandaj, koha që kaluam së bashku ndër vite do të jetë e freskët në kujtimet tona.

Diki me urtësinë, ndershmërinë dhe intelektin e tij kishte aftësinë për të krijuar lidhje të forta dhe të qëndrueshme me njerëzit përreth tij.

Me paraqitjet e tij në fushën e gjelbër la gjurmë në fanellat e Trepçës, Prishtinës, Besianës, Novi Pazarit por edhe disa klubeve tjera, derisa pas përfundimit të karrierës si futbollist, vendosi t’i shërbejë futbollit në pozitën e trajnerit dhe gjyqtarit, ku po ashtu dëshmoi cilësi të jashtëzakonshme dhe integritet e profesionalizëm.

Si trajner, Diki nuk ishte vetëm një udhëheqës, por edhe një frymëzues i jashtëzakonshëm për brezat e rinj, duke ndikuar pozitivisht në rritjen dhe zhvillimin e tyre si futbollistë.

E si gjyqtar ishte ndër më të respektuarit në vendin tonë, teksa viteve të fundit pata nderin ta kem bashkëpunëtor të ngushtë edhe në FFK, ku ishte anëtar i Komisionit të delegimit të gjyqtarëve. Në këtë pozitë, Diki, me përvojën e tij të jashtëzakonshme kontribuoi në ngritjen e standardit të ndarjes së drejtësisë në futbollin tonë.

Sadiku më ofroi mbështetjen e tij të vazhdueshme në çdo proces e çdo projekt që kur mora drejtimin e FFK-së, duke dëshmuar se miqësia është thelbësore në raportet njerëzore.

Ai ishte dhe do të mbetet shembull i mikut të vërtetë dhe i njeriut të ndershëm, që i dha kontribut të vlefshëm futbollit dhe shoqërisë sonë në përgjithësi.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Sadik Rrahmanin!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së