17 shkurt, 2023 – Në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të shtunën, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Ligës së Veteranëve të Futbollit të Kosovës zhvillohet ndeshja miqësore e veteranëve, Kosovë – Gjermani. Pjesë e kësaj ndeshje do të jenë emrat e njohur të futbollit të Kosovës si dhe yjet e dikurshme të futbollit të Gjermanisë. Kjo ndeshje zhvillohet në fushën qendrore të Kampit Nacional të FFK-së në Hajvali, në orën 13:00 dhe është pjesë e kalendarit të aktiviteteve të MKRS-së për 15-vjetorin e Pavarësisë. Ekspedita e Kombëtares së Gjermanisë tashmë ka mbërritur në Prishtinë dhe gjatë ditës së sotme mirëseardhje u ka dëshiruar presidenti i FFK-së, Agim Ademi. Pjesë e ekipit gjerman janë emra të njohur, si Felix Magath, Rudi Bommer, Thomas Helmer etj. Në takimin me Rudi Bommer, Dieter Burdenski dhe Markus Widner, ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli, i pari i FFK-së e falënderojë Kombëtaren e veteranëve të Gjermanisë që është bërë pjesë e festës së shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe shprehu mirënjohjen e parezervë për shtetin gjerman dhe DFB-në, që në vazhdimësi kanë qenë mbështetës të shtetndërtimit të Kosovës dhe progresit të futbollit kosovar.