Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet FFK-së dhe FSHF-së Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka zhvilluar ndeshje miqësore me Përfaqësuesen e Shqipërisë. Ndeshja u zhvillua në Palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Kosova fitoi me rezultat 3:2, duke dëshmuar se ka shumë potencial në këtë sport. Të përzgjedhurit e trajnerit Ramadan Cimili treguan një nivel të lartë loje, duke i entuziazmuar të pranishmit Është interesant fakti që në përfaqësuesen e Shqipërisë luanin 4 lojtarë kosovarë, të grumbulluar nga trajneri Resuli për rritur forcën e skuadrës në prag para eliminatoreve të Botërorit.
Takini nisi i ekuilibruar me të dyja skuadrat që i kushtuan rëndësi të vecantë fazës mbrojtëse, cka u reflektua më rrjetat e paprekura në pjesën e parë. Vetëm pak minuta nga starti i pjesës së dytë, Ramadan Alaj përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes së Shqipërisë, duke zhbllokuar rezultatin. I gjendur në dizavantazh formacioni i Erind Resulit ushtroi më shumë presion në portën e Kosovës, por la shumë hapësira prapa. Portieri Gashi mundi të shmangte disa gola të sigurtë, por nuk mundte ta shmangte golin e dytë të Roni Radonicit kur kishin mbetur më pak se 10 minuta loja. Pak caste më pas Kosova shënoi edhe të tretin me Shpend Brahimin nëpërmjet kundërsulmit.
Shqipëria u zgjua vetëm në minutat e fundit teksa shënoi 2 gola brenda 9 sekondave me Kacen dhe Mullain, por pa mundur ta shmangte humbjen. Në përfundim të ndeshjes, pavarësisht rezultatit të dy trajnerët, Resuli i Shqipërisë dhe Cimili i Kosovës, u shprehën të kënaqur me atë që dhanë të dyja skuadrat.