Sot më 26 nëntor, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, nën drejtimin e Fadil Vokrrit kryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku shqyrtoi shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE analizoi rrjedhën e garave të stinorit vjeshtor dhe konstatoi se me gjithë disa probleme që u shfaqen në javët e para, pas marrjes së masave nga ana e Komisioneve, garat kanë shtuar cilësi në organizim, cilësi të mirë dhe po ashtu është shtuar edhe numri i shikuesve nëpër stadiume. Në dobi të këtij konstatimi flasin të dhënat, për një dinamikë të garave që përfunduan me orarin e përcaktuar. Ka pasur shtim të disiplinës dhe sjellje korrekte të lojtarëve në fushë, që flasin ndëshkimet e pakta të lojtarëve në të gjitha rangjet, si me kartonë të verdhë ashtu edhe të kuq. Ka një ngritje të shikueshmërisë për 20 mijë më shumë në krahasim me stinorin vjeshtor të kampionati të kaluar. Numri i vogël i ndeshjeve të regjistruara me rezultate zyrtare, vetëm tri nga gjithsej 102 ndeshje. Ka pasur ngritje në organizim. Po ashtu është vlerësuar si e mirë puna e Komisarit të garave dhe të Komisionit të Gjyqtarëve, të cilët me punën e tyre kanë shtuar cilësinë e ndarjes së drejtësisë dhe segmenteve tjerë. KE është i përkushtuar që ky trend pozitiv të vazhdojë deri në fund të kampionatit. KE emëroi prof. Malësor Gjonbalaj për koordinator të përgjithshëm të Qendrës së Edukimit dhe trajnimit, për të cilën KE mori vendim në mbledhjen e kaluar që do të hapet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë. KE emëroi edhe Komisionin për shpalljen e laureatëve për vitin 2013, të cilët do të shpallen në javën e parë të janarit 2014 në përbërje: Agim Ademi, kryetar, Vjollcë Krasniqi dhe Predrag Joviç anëtarë.
Po ashtu ju njoftojmë se më 28 nëntor për Ditën e Flamurit do të zhvillohet një ndeshje në futsall ndërmjet kampionit të Kosovës KF ”Feniks” nga Drenasi dhe kampionit të Shqipërisë KF ”Ali Demi” nga Tirana. Ndeshja do të zhvillohet më 28 nëntor në sallën e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar në orën 16:00. Ndërsa, KF”Prishtina” po ashtu më 28 nëntor do të zhvillojë një ndeshje në Vlorë në kuadër të “Kupës së Pavarësisë” që tashmë është bërë tradicionale.