Sot më 21 prill, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e Fadil Vokrrit, kryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku diskutoi për shumë çështje për futbollin e Kosovës. KE i FFK-së shqyrtoi dhe miratoi Raportin financiar të FFK-së për vitin 2014. Po ashtu KE analizoi bashkëpunimin me Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB) duke konstatuar se ky bashkëpunim po thellohet gjithnjë e më shumë. FFK-ja dhe DFB-ja pas takimit që pati sekretari i përgjithshëm i FFK-së z. Eroll Salihu me drejtuesit e DFB-së janë pajtuar që bashkëpunimi të vazhdojë në të gjitha fushat e në veçanti në edukimin dhe trajnimin e trajnerëve, gjyqtarëve administratorëve. FFK-ja dhe DFB-ja janë pajtuar për një trajnim tremujorë për trajnerë me mundësi që ky trajnim të zgjatet edhe për katër vite, që trajnerëve të Kosovës t’u mundësohet pajisja me licencë “B” e me këtë do të ndihmoheshin edhe klubet që të kenë njerëz profesional për të drejtuar ekipet e të gjitha grup-moshave. Në këtë drejtim FFK-ja do të hartojë një strategji të zhvillimit dhe edukimit të kuadrove dhe synohet që me 1 qershor të nis edhe trajnimi i parë për trajnerë. Duke marrë parasysh që FFK-në e pret një punë e madhe dhe jo vetëm FFK-në por dhe klubet para pranimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtar, KE do të marrë të gjithë hapat e nevojshme për ngritjen e kapaciteteve, në organizim të FFK-së dhe klubeve në përputhje me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s e në këtë drejtim do të bashkëpunohet ngushtë me klube që të përgatitën sa më mirë për sfidat e ardhshme.