Sot më 13 gusht, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e Fadil Vokrrit, kryetar, mbajti mbledhjen e vet të radhës ku debatoi për shumë çështje me rëndësi për futbollin e Kosovës. KE i FFK-së analizoi përgatitjet për fillimin e kampionatit të ri dhe konstatoi se përgatitjet po bëhen me dinamikën e paraparë. Komisioni për inspektim e fushave raportoi se gjendja në terrenet e futbollit e sidomos ato të Raiffeisen Superligës së Kosovës është në gjendje jashtëzakonisht të mirë. Me qëllim të krijimit të kushteve dhe rritjes së cilësisë në ndarjen e drejtësisë KE mori vendim që të rrisë kompensimet për gjyqtarë edhe atë: Gjyqtari kryesor në Raiffeisen Superligë do të kompensohet me 100 euro, asistentët me 80 euro, gjyqtari i katërt me 50 euro, ndërsa vëzhguesi me 80 euro e kontrollori me 60 euro. Në këto shuma përfshihen të gjitha shpenzimet për ta. Në ligën e parë, gjyqtari kryesor do të kompensohet me 80 euro, asistentët me 60 euro, ndërsa vëzhguesi me 70 euro e kontrollori me 50 euro. Në këto shuma përfshihen të gjitha shpenzimet për ta. Në ligën e dytë, gjyqtari kryesore do të kompensohet me 70 euro, asistentët me 60 euro, ndërsa vëzhguesi me 60 euro. Në ligën e juniorëve, gjyqtari kryesor do të kompensohet me 40 euro, asistentët me 30 euro, ndërsa vëzhguesi me 40 euro. Në këto shuma përfshihen të gjitha shpenzimet për ta.
Po sot KE ka marrë konfirmimin zyrtar nga Federata e Futbollit të Omanit, për zhvillimin ndeshjes miqësore me përfaqësuesen e Omanit. KE do të bëjë përpjekje që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit dhe për këtë ka pasur takime të kryetarit Vokrri dhe sekretarit Salihu me zyrtarët e Prishtinës, në mënyrë që ata të marrinë një pjesë të detyrave sa i përket përgatitjes së stadiumit, ndryshe alternativë mbetet stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Duke ndjekur traditën takimeve me përfaqësues të klubeve para fillimit të edicionit të ri të garave, sot, kryetari i FFK-së z, Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu kanë pasur takim me përfaqësuesit te klubeve të Raiffeisen Superligës. Kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri u ka uruar klubeve një fillim të mbarë të garave në stinorin e ri duke u kërkuar atyre për një garë korrekte dhe frymë sportive sikur që edhe u premtoi atyre , se FFK-ja do të mbështet punën e tyre dhe organet saj do të jenë shumë konsekuente në zbatimin e plotë të Akteve normative të FFK-së. Kryetari Vokrri dhe përfaqësuesit e klubeve diskutuan edhe për të drejtat televizive e sidomos ndarjen e mjeteve për 11 klubet që janë pjesë e paketës së Platformës Digit-Alb, ku mbretëroi një solidarizim i plotë e pajtim në parim i të gjithëve që nga skuadra kampione dhe të tjerave që mëtojnë kreun e tabelës, që këtë kampionat duke parë gjendjen financiare të klubeve, ndarja e mjeteve të bëhet në mënyrë të barabartë për të gjitha këto 11 klube. Kështu që shuma prej 110 mijë eurove sa është shuma e gjithëmbarshme nga të drejtat televizive klubeve t’u ndahet në dy pjesë nga 5 mijë euro këtë fillim kampionati dhe nga 5 mijë euro në mars të vitit 2015. Klubet dhe drejtuesit e FFK-së u pajtuan se çështja e të drejtave televizive që nga kampionati tjetër të rregullohet në harmoni me një rregullore të veçantë dhe me praktikat që rregullojnë fushën e të drejtave televizive.