ffk-llogofinSot më 22 dhjetor Komiteti Ekzekutiv i FFK-së ka mbajtur mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e Agim Ademit nënkryetar ku debatoi për shumë çështje me rëndësi. KE analizoi edhe njëherë rrjedhën e kampionatit në të gjitha rangjet e garave si dhe Raportin e detajuar të garave. Pas shumë diskutimeve KE konstatoi se kampionati ka pasur një rrjedhë normale në të gjitha segmentet. Ky kampionat vlerësohet si kampionati më i mirë i pasluftës, që ka shënuar një organizim më të mirë, një disiplinë të shtuar në fushë në frymë të fair-playt dhe korrektësisë e rivalitetit sportiv. Ka një rritje të theksuar të shikueshmërisë dhe një punë të mirë të Komisioneve të FFK-së që i kanë kontribuar rregullshmërisë së garave. Po ashtu KE konstatoi se FFK-ja gjatë vitit 2015 i ka dhënë shumë rëndësi edhe ngritjes profesionale të trajnerëve ku 77 trajnerë janë pajisur me Licencë “B” në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Gjermanisë si dhe seminare për gjyqatarë dhe kontrollorë e vëzhgues të futbollit.  KE analizoi dhe shyqrtoi edhe aktivitetin e FFK-së në rrafshin ndërkombëtar. KE bëri një rezyme të aktivitetit dhe  angazhimit të KE gjatë vitit 2015 në rrafshin ndërkombëtar që kanë konsistuar në përpjekjet e ndërkombëtarizimit të  futbollit të Kosovës me synimin kryesor pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA. Në këtë drejtim kanë vazhduar takimet me kryetarin e FIFA-s Sep Blatter, me atë të UEFA-s Michel Platini e në veçanti duhet të theksohet takimet që FFK-ja ka pasur me zyrën Ligjore të UEFA-s për gjetjen e mënyrës për të shmangur pengesat për pranimin e FFK-së në UEFA, e me të cilën zyrë është gjetur mënyra dhe një mirëkuptim i plotë e si rezultat i gjithë kësaj është se më 2016 FFK-ja pret të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. Për të siguruar një mbëshetje sa më të madhe krerët e FFK-së kanë vazhduar të takojnë shumë kryetar të federatave. Në mars krerët e FFK-së kanë pasur takime me kryetarin e Federatës së Futbollit të Gjermanisë Wofnag Niersbach dhe nënkryetarin Rainer Milkoreit. Pastaj me drejtorin sportiv Heinz Kalter nga skuadra Eintracht Frankfurt dhe atë të Werder Bremen, Dieter Budenski. Në vazhdim krerët e FFK-së janë takuar  edhe me futbollistë të shquar  me renome botërore, si Beckenbauer, Rummengie e Sedorf. Në vazhdim delegacioni i FFK-së  ka qenë për vizitë zyrtare në federatën kroate të futbollit, pastaj në atë Maqedonisë, Sllovenisë dhe së fundi atë të Turqisë ku në të gjitha këto takime nga të gjithë këta kanë marrë mbështetje për arritjen e objektivave të FFK-së. Takim me shumë rëndësi ishte pjesëmarrja e delegacionit të FFK-së në mesin e 54 federatave të Evropës në Maltë ku edhe u mor vendimi që çështja e pranimit të FFK-së në UEFA të futet në rend dite në kongresin e ardhshëm të UEFA-s me çka FFK-ja pret të pranohet në UEFA.  Krerët e FFK-së kanë pasur takime edhe me federatën amerikane të futbollit. Po ashtu vlen të theksohet edhe aktivteti i ngjeshur i Përfaqësueses së Kosovës në zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Në drejtim të ngritjes profesionale të ekipit përfaqësues tash e sa vite organizohet edhe Kampi edukativ U-15 ndoshta i vetmi në rajon. Për gjithë këtë aktivtet FFK-ja ka gjetur mbështje financiare nga MKRS-ja dhe sponsorët e vet si Vala, Air Prishtina, hotel “Emerald” dhe të tjerë. KE shqyrtoi edhe përgatitjet për shpalljen e Lauretarëve për Vitin 2015, që do të bëhet më 9 janar në orën 16.00 në hotel “Emerald” duke konstatuar se përgatitjet po rrjedhin me dinamikën e paraparë. Po ashtu KE shqyrtoi edhe parapërgatijet për Kuvendin zgjedhor të FFK-së që do të mbahet më 15 janar. KE bëri të ditur se përgatitjet po shkojnë sipas akteve normative. Materiali po shpërndahet me kohë dhe lista e delegatëve është vërtetuar nga klubet dhe shoqatat anëtare të Kuvendit të FFK-së duke respektuar të gjitha afatet e parapara. KE emëroi edhe Komsionin financiar dhe auditorin e jashtëm të çështjeve financiare. KE ngushëlloi UEFA-n dhe federatën e Gjeorgjisë me rastin e humbjes tragjike të zyrtarit të lartë z. David Petriashvilli, i cili kohë më parë vizitoi Kosovën dhe për klubet e Kosovës mbajti një këshillim ligjëratë para pranimit në institucionet ndërkombëtare, kështu që z. Petriashvilli me afërsinë që tregoi dhe duke demonstruar miqësi me Kosovën do të kujtohet si mik i Kosovës.