ffk-llogofinSot më 18 gusht KE i FFK-së mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e Fadil Vokrrit kryetar, ku debatoi për shumë çështje me rëndësi në futbollin e Kosovës. KE analizoi përgatitjet për edicionin e ri të garave dhe konstatoi se ato po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Në këtë drejtim janë mbajtur seminar dhe janë kryer testimet fizike dhe teorike për gjyqtarë. Është organizuar seminar për kontrollorë ku pas këtyre seminareve kanë dalë edhe objektivat për të ardhmen në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjyqtarë dhe kontrollorë. Pastaj janë mbajtur takime edhe me vëzhgues si dhe do të ketë takime me Policinë e Kosovës për mbarëvajtjen dhe sigurinë më të madhe të ndeshjeve. Është bërë edhe inspektimi i stadiumeve të futbollit dhe në ditët në vijim kanë mbetur vetëm ato fusha ku janë dhënë vërejtje për mënjanimin e të metave gjë që do të inspektohen para fillimit të kampionatit. Kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri e njohu KE për vizitat e delegacionit të FFK-së me zyrtarë të lartë të UEFA-s dhe të FIFA-s, ku qëllimi i këtyre takimeve ishte që të përcaktohen dhe bashkërenditen hapat e mëtejme dhe duke marrë premtimin se UEFA do të angazhohet të gjejë mënyrat më të mira për mënjanimin e pengesave që ka FFK-ja për pranim. Po ashtu kryetari Vokrri e njohu KE për disa pengesa që kanë dalë në lidhje me ndeshjen me Përfaqësuesen e Burkina Faso, të cilët kanë dërguar listën e lojtarëve ku figurojnë lojtarët e U-23, prandaj kjo është kundërshtuar nga FFK-ja dhe pritet që Burikina Faso të dërgojë listën tjetër ku janë të përshirë futbollistët e Përfaqësuese “A”, në të kundërtën ndeshja nuk do të zhvillohet.