31 gusht, 2016 – Sot në prag të fillimit të edicionit të ri të garave në Vala Superligën e Kosovës në konkurrencën e femrave, u mbajt një takim me përfaqësues të klubeve të femrave. Duke i përshëndetur në emër të FFK-së kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe anëtarja e KE të FFK-së, znj. Vjollcë Krasniqi, së pari ka përgëzuar drejtuesit e KF “Hajvalisë” për një prezantim dinjitoz të futbollit të Kosovës në garat evropiane në Ligën e Kampionëve. Më tej, znj Krasniqi i njohu përfaqësuesit e klubeve për përgatitjet që ka bërë FFK-ja për fillimin e garave, duke theksuar se tashmë ka një interesim më të madh për futbollin e femrave dhe për këtë flet fakti se në gara është rikthyer klubi “Kaçanikasja” si dhe kemi edhe dy klube të reja “Baseli 2015” dhe “Dita PR”. Kështu që në edicionin e ri do të kemi 12 klube dhe konkurrenca do të jetë më e madhe. Së këndejmi duhet të mendojmë, meqë po shtohet interesimi të shikohen mundësitë për formimin edhe të një Lige të femrave me një moshë më të re si nxitje për Vala Superligën. Duhet të punojmë edhe më shumë dhe të angazhohemi për gara të mira dhe në kufij sportivë. Përfaqësuesit e kubeve përkraheni idenë për themelimin edhe të një lige si dhe premtuan angazhim edhe më të madh sidomos tash kur FFK-ja është pranuar në UEFA dhe FIFA. Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm i FFK-së z. Eroll Salihu u foli përfaqësuesve të klubeve për organizimin e mirëfilltë të klubeve si dhe duke vu në pah gjithë fokusin që ka FFK-ja për futbollin e femrave.