Sot më 20 shkurt, në Shtëpinë e Sporteve, në prag të fillimit të stinorit pranveror të kampionatit të Kosovës, u mbajt një takim me kontrollorë dhe vëzhgues. Fillimisht të pranishmit në emër të KE të FFK-së, i ka përshëndetur z. Agim Ademi nënkryetar, i cili foli për rëndësinë që kanë kontrollorët dhe vëzhguesit në ndeshje dhe në mbarëvajtjen e garave në futboll. Tutje z. Ademi tha se ky vit do të jetë në shenjë të futbollit dhe se kemi sinjale pozitive se FFK-ja shumë shpejt do të bëhet pjesë e institucioneve ndërkombëtare dhe së këndejmi do të jemi në monitorim, ndaj edhe kërkohet nga të gjithë ju që të jeni në nivelin e detyrave si dhe të keni koordinim të plotë në relacionet kontrollorë-vëzhgues dhe gjyqtarë. Nga puna e juaj varen shumë edhe vendimet e komisioneve tona. Unë besoj se ne dimë dhe mundemi që bashkërisht të bëjmë punën më të mirë të mundshme në të mirë të përparimit të futbollit të Kosovës. Ndërsa, Komisari i Garave, z. Ismet Ahmeti ka folur për punën e vëzhguesve dhe ndaj një numri të tyre ka qenë edhe kritikë sepse shpesh nuk e kanë pasqyruar realitetin në ndeshje me çka kanë vështirësuar punën e komisioneve. Prandaj kërkojmë nga të gjithë që me përpikëri në raportet e tyre ta shkruajnë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën, në të kundërtën do të përballen me masa disiplinore që nuk i do askush. Për punën e kontrollorëve ka folur kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve z. Përparim Hasani, i cili theksoi dhe kërkoi nga kontrollorët që të jenë sa më syçelë në monitorimin e gjyqtarëve që të kemi një pasqyrë reale të ndarjes së drejtësisë nga ana e tyre dhe që të jenë të paanshëm. Kryetari Këshillit profesional z. Ismet Shurdhani u shpreh se Këshilli profesional do të jetë shumë konsekuent ndaj të gjithëve dhe me kujdes do të analizojë çdo ndeshje dhe çdo rast që ka dilema dhe i vlerësuar për të ardhur deri te vërteta. Nga ana e tyre kontrollorët dhe vëzhguesit edhe njëherë u zotuan se do të bëjnë çmos që secili ta kryejë detyrën e tyre në përputhje me rregulloret dhe aktet tjera normative.