06 tetor  Një shkëlqim e Kombëtares U-19 të Kosovës në ballafaqim me Izraelin të cilën e mposhti me rezultat 2:1. Nuk kishte individë të dalluar, por skuadër të dalluar, të gjithë nga portieri dhe të gjitha repartet kanë funksionuar si një, ndaj edhe ngadhënjyen, ndaj një kundërshtari të fortë. Përzgjedhësi Ramiz Krasniqi, me gjithë disa telashe në komponimin e skuadrës, në mungesë të Lot Celinës, për mrekulli gjeti formulën drejt suksesit. Gjatë tërë ndeshjes futbollistët e Kombëtares tonë ishin më të mirë. Në pjesën e parë të takimit u vulos gjithçka. Kombëtarja e Kosovës vazhdimisht sulmonte dhe krijoi disa raste shënimi, por që nuk arriti të i konkretizoi. Si rregull i pashkruar në futboll, kur nuk shënon atëherë pëson. Kështu që, në minutën e 32-të Izraeli përmes  Almogut shënoi dhe kaloi në epërsi 1:0. Pas pësimit të golit djemtë e Kombëtares nuk u dekurajuan, por përkundrazi ruajtën qetësin dhe shtuan sulmet drejt portës rivale. Kështu në minutën e 41-të kapiteni Leutrim Kryeziu, me një depërtim vetjak arriti të mposhtë portierin Daniel dhe barazoi në 1:1. Kështu morën krah futbollistet dhe pas dy minutave sërish kapiteni Kryeziu e kalon Kombëtaren në 2:1 dhe me këtë rezultat u përmbyllë pjesa e parë. Pjesa e dytë nuk solli gola por shumë kartonë të verdhë për izraelitët, të cilët luajtën shumë ashpër dhe pati shumë punë për ekipin e mjekëve të Kombëtares. Futbollistët e tanë sulmuan për ta shtuar epërsinë, ndërkaq Izraeli me të gjitha forcat sulej drejt portës, por mbrojta kështjellë e ndihmuar edhe nga të tjerët nuk lejuan befasi. Kështu Kombëtarja U-19 shënoi një fitore jashtëzakonisht të vlefshme e ndihmuar edhe nga një përkrahja e disa dhjetëra bashkatdhetarë që kishin ardhur për t’i mbështetur djemtë e Kosovës. Kosova ka shtuar gjasat që në duel me Lituaninë të nxjerrë rezultat pozitiv dhe të arrijë kualifikimin. Deklaruan pas ndeshjes:
Izraeli – Kosova 1:2 (1:2)
Stadiumi: Nationalpark Tauernarena – Mittersill
Shikues: 400
Gjyqtarë: O. Derdo, V. Vystoskyi, M. Valdi e S. Ebner.
Shënues: Almog(32) për Izr. Kryeziu (41 e 43 ) për Kos.
K.V. Luzon, Shlomo, Zohar, Shua, Barkovits, Masarwa(IZR) dhe Limani e E. Gashi (Kos).
Izraeli: Daniel, Cohen, Luzon, Shlomo, Zohar(Berkovits), Solomon, Shua(Masarwva), Almog, Karzev(Shalata), Kanaan e Dey.
Kosova:  F. Gashi, Bytyqi, Beka, Salihu, Pajaziti, Dakaj(Behrami), Kryeziu(E. Gashi), Limani , Kastrati(Kçiku), Nimani(Kqiku) e Dellova
Ramiz Krasniqi, përzgjedhës
Duhet lavdëruar futbollistët për një angazhim të pashoq. Kemi analizuar me vëmendje kundërshtarin dhe jo vetë që ja arritëm ta ndalim por edhe ta mposhtim. Ne kishim më shumë nga loja edhe pse bëmë disa gabime nga mungesa e përvojës. Si do qoftë ishte një lojë e fortë, m qarkullim të topit, me aksione dhe raste e mbi të gjitha realizuam dy herë dhe kjo na solli një fitore shumë të vlefshme dhe që do të jetë impuls për ndeshjen e fundit kundër Lituanisë.
 
 
 
Leutrim Kryeziu, futbollist
Një fitore e madhe. Jam shumë i emocionuar dhe njëkohësisht i gëzuar që shënova dy herë, por mbi të gjitha fitorja e Kombëtares është e artë. Falënderojë edhe shokët për bashkëpunim  pa ndihmën e të cilëve nuk kisha shënuar.
 
 Lumbardh Dellova, futbollist
Kjo fitore na ka dhënë krah. Ishte një ndeshje e mirë dhe patëm angazhim të gjithë. Patëm më shumë nga loja, por edhe kundërshtari ishte fortë, nuk ishte për tu nënçmuar.
 
 
Edison Kçiku, futbollist
Patëm një paraqitje jashtëzakonisht të mirë e mbi të gjitha na gëzon fitorja e parë në këto kualifikime dhe do të punojmë që edhe në ndeshjen e fundit të arrijmë rezultat pozitiv..