21 gusht, 2017 – Federata e Futbollit e Kosovës tash e disa vite po punon në zhvillimin e futbollit të të rinjve, duke organizuar tash e sa vite Kampin Kombëtar U-15, ndaj në këtë drejtim sot më 21 gusht në FFK, ka arritur përgjegjësi për zhvillimin e futbollit të rinjve pranë UEFA-s (UEFA Elite youth Development) z. Jean François Domergue, për të nisur Projektin e FFK-së për zhvillimin e të rinjve. Z. Domergue u pritë nga sekretari i përgjithshëm z. Eroll Salihu dhe kryetari i Shoqatës së trajnerëve dhe përgjegjës për këtë projekt z. Ajet Shosholli. Po ashtu z. Jean François Domergue, u takua dhe me presidentin e FFK-së z. Fadil Vokrri dhe nënpresidentin z. Agim Ademi. Qëllimi i kësaj vizite është që të shikohen përgatitjet për fillimin e Projektit për zhvillimin e të rinjve që nisë më 1 shtator dhe zgjatë deri në korrik të vitit 2018, kur mbahet Kampi Kombëtar. Pas konsultimeve në zyrat e FFK-së z. Jean François Domergue në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot pan nga afër futbollistët e rinj nga Rajoni i Prishtinës, duke mbajtur një seancë stërvitore me këta të rinj, ndërsa nesër do të vizitojë të rinjtë nga klubet e rajonit të Mitrovicës. Të mërkurën më 23 gusht z. Jean François Domergue, bashkë me Ajet Shoshollin në Kastriot do të takojnë trajnerët e grup-moshave të reja dhe do të organizohet edhe një lojë. Po ashtu do të shikohen mundësitë për trajnimin dhe licencimin e trajnerëve me licencë fillestare dhe C, në mënyrë që të krijohen kuadro që do të punojnë me grup-mosha të reja.