Debutoi me gol, por ai nuk ishte i mjaftueshëm për t’iu gëzuar edhe fitores. Është ky sulmuesi shtatlartë, Atdhe Nuhiu, i cili nuk pati fat që ta shijojë maksimalisht këtë gol. Gjithsesi atij i vjen mirë që qysh në debutim e gjeti golin dhe ia shpagoi besimin trajnerit. “Trajneri gjatë këtyre ditëve të stërvitjeve e ka parë në çfarë forme jam dhe e ka parë të arsyeshme që të jem shartues, për çka e falënderoj për besimin e dhënë. Kemi hy në këtë ndeshje për të fituar ose së paku të barazojmë, por ja që nuk ia dolëm. Jemi ekip i bashkuar. Në një ndeshje ka gjëra që funksionojnë por edhe që nuk funksionojnë. Por, ne humbim dhe fitojmë si grup. Hap pas hapi do të shkojmë përpara. Gjërat nuk shkojnë prej 0 në 100. Jam i bindur që me këtë grup të futbollistëve do të kemi shumë suksese në të ardhmen. Partneriteti me Berishën? Mendoj se kemi funksionuar mirë. Natyrisht se ka vend për përmirësime po kjo ishte hera e parë që luajtëm së bashku”, është shprehur Nuhiu.