13 mars, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 25-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Gjilani dhe Llapi kanë barazuar 1:1 në ndeshjen më interesante të ditës, e cila u zhvillua në fushën me bari sintetik në Gjilan. Të parët shënuan llapjanët me golin e Francisco Rivera, në minutën e 35-të. Këtë epërsi skuadra e Tahir Batatinës e ruajti deri në minutën e 90’+1’, kur Shend Kelmendi shënoi nga brendësia e zonës, duke e shmangur skuadrën e Ismet Munishit nga humbja. Pas këtij barazimi, Gjilani tashmë ngec 3 pikë ndaj Ballkanit që kryeson renditjen, derisa Llapi mbetet në pozitën e katërt me 41 pikë, shtatë më pak se Gjilani. Pa fitues, por edhe pa gola është mbyllur edhe dueli në Klinë, ndërmjet Dukagjinit dhe Dritës. Të dyja skuadrat patën rastet e tyre për gol, por nuk ishin efikase para portës. Dukagjini pas këtij barazimi mbetet në pozitën e tetë, me 25 pikë, derisa Drita mbetet prapa në garën për titull, pasi tani ka 8 pikë më pak se skuadra lidere. Një ndeshje mjaft interesante u zhvillua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Malisheva arriti fitore ndaj Drenicës, me rezultat 3:2. Golat për Malishevën i realizuan Bruqi (18’), Hyseni (45’) dhe Xhaka (72’), derisa për kuqezinjtë shënuan Hamiti (22’) dhe Abazi (53’). Kjo fitore ia mundëson Malishevës të stabilizohet në renditje, me 32 pikë, sa kanë edhe Drenica e Prishtina.