19 shkurt, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 20-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, e ku të dyja janë mbyllur pa fitues dhe me rezultat identik. Drita dhe Llapi kanë bërë njërën prej paraqitjeve më të mira të këtij edicioni në stadiumin e qytetit në Gjilan, teksa në fund kanë marrë nga një pikë. Llapjanët shënuan të parët nëpërmjet Valmir Veliut, në minutën e 40-të, por Drita arriti të barazojë shifrat në pjesën e dytë, me golin e Ardian Cuculit, nga penalltia e akorduar pas rishikimit në VAR, në minutën e 77-të. Pas këtij barazimi Drita mbetet ende lider me 38 pikë, dy më shumë se Ballkani e Gjilani, të cilat ndeshjet e kësaj jave i luajnë nesër. Në anën tjetër, Llapi mbetet në pozitën e katërt, me 33 pikë. Nga një gol e kanë realizuar edhe Ulpiana dhe Malisheva në duelin e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Marclei Santos shënoi nga pika e bardhë në minutën e 20-të për Ulpianën. I njëjti futbollist pati mundësi ta dyfishojë epërsinë në minutën e 41-të sërish nga penalltia, por nuk u tregua i saktë. E dy minuta më pas mysafirët barazuan me golin e Xhevdet Shabanit. Malisheva mban pozitën e shtatë në renditje, me 23 pikë, derisa Ulpiana një pozitë më poshtë ka 19 pikë.