Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Llamkos Kosovës, në kuadër të javës së 16-të në Raiffeisen Superligë, ka përfunduar pa fitues, me shifrat 0:0. Sfida e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Prishtinë, solli një lojë interesante, ku skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli dominoi po thuajse gjatë tërë kohës. Megjithatë, bardhekaltrit e kryeqytetit nuk arritën të konkretizojnë në gol asnjërin prej aksioneve të tyre. Në anën tjetër, vushtrriasit kanë mundur shumë lehtë të kthehen me pikë të plota, sikur të shfrytëzonin një rast të pastër për gol në kohën shtesë. Kësisoj, këto dy skuadra e mbyllën stinorin vjeshtor me kuotë të njëjtë pikësh, 26. Pa fitues u mbyll edhe ndeshja ndërmjet Istogut dhe Trepçës, por këtu nuk munguan golat, pasi rezultati përfundimtar ishte 2:2. Vendasit krijuan epërsi prej dy golave në 20 minutat e parë të takimit, me golat e shënuar nga Isuf Sabotiq (3’) dhe Suad Saliagiq (19’). Mirëpo, mitrovicasit arritën që fillimisht në minutën e 41-të të ngushtojnë epërsinë e vendasve, me golin e Krenar Vinarcit, derisa në minutën e 73-të i barazuan shifrat me golin e Shpëtim Babajt. Pas këtij barazimi, Istogu ka 17 pikë të tubuara, derisa Trepça ka një pikë më pak. Ndërkohë, në derbin e Rrafshit të Dukagjinit, Besa ka shënuar fitore kundër Vëllaznimit, me rezultat 2:0. Golat për pejanët i shënuan Fatih Karahoda (46’) dhe Ilir Nallbani (70’). Pas kësaj fitore, Besa është ngjitur në kuotën e 26 pikëve, derisa ekipi gjakovar mbetet me 19 pikë.
Raiffeisen Superliga : Java e 16- të : ora 13.00
E premte
Hajvalia – Ferizaj …………………1-1
E shtunë
Besa – Vëllaznimi………………..2-0
Istogu – Trepça……………………2-2
Prishtina – Llamkos Kosova………..0-0
Liga e Parë: Java e 15-të: ora 13.00
E shtunë:
Gjilani – KEK-u…………………..2-1
Liria – Vllaznia (P)………………7-0
2 Korriku – Rahoveci……………0-0
Deçani – Flamurtari……………..0-4