4 shkurt, 2017 – Sot në përmbyllje të kampit të gjyqtarëve në Ulqin, për vizitë kanë qenë nënkryetari i KE të FFK-së, Agim Ademi dhe anëtarët e KE-së, Bakir Burri, Xhelal Broja dhe Bekim Rexhepi. Me këtë rast, ata, kanë përgëzuar gjyqtarët për paraqitjen e mirë në seminar dhe testet fizike dhe njëherësh kanë kërkuar përgjegjësi dhe ndershmëri gjatë garave të stinorit pranveror. Në ditën e parë të këtij kampi është mbajtur seminari ku ka ligjëruar instruktori i FIFA-s, Sokol Jareci, derisa në ditën e dytë janë mbajtur stërvitje. Ndërkohë, sot 58 gjyqtarët pjesëmarrës i janë nënshtruar testeve fizike, ku për dallim nga vitet e kaluara sivjet përgatitja fizike e gjyqtarëve ka qenë shumë më e mirë, për çka edhe drejtuesit e Komisionit të Gjyqtarëve janë shprehur të kënaqur. Do theksuar se gjatë këtij kampi gjyqtari Hajriz Hajdari u përshëndet zyrtarisht nga referimi, derisa anëtarët e KE të FFK-së e falënderuan atë për kontributin e dhënë në ndarjen e drejtësisë gjatë karrierës së tij. Ekspedita e gjyqtarëve të futbollit nesër në mëngjes do të kthehet në Kosovë.