11 shkurt, 2017 – Përfaqësuesja U-19 ka vazhduar punën në grumbullimin që po e mban në Ulqin. Në orët e mëngjesit është zhvilluar një seancë e lehtë stërvitore, derisa në orët e pasdites është zhvilluar ndeshja testuese me skuadrën Slloga nga Bari, anëtare e Ligës së Tretë të Malit të Zi, të cilën Përfaqësuesja U19 e ka fituar me rezultat bindës 7:0. Në këtë ndeshje djelmoshat tanë kanë mbizotëruar plotësisht në çdo aspekt të lojës, derisa përzgjedhësi Ramiz Krasniqi e ka nisur ndeshjen me 11-she tjetër nga ndeshja e djeshme, derisa në pjesën e dytë ua ka dhënë mundësinë për lojë të gjithë futbollistëve. Tre gola i shënoi Gentrit Limani në pjesën e parë, derisa me dy gola në këtë fitore kontribuoi Altrim Pajaziti dhe me nga një gol Rilind Nimani dhe Leutrim Kryeziu.
Në ndeshjen e sotme Përfaqësuesen U19 e ka vizituar nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi. Ai me këtë rast e ka përshëndetur stafin e trajnerëve dhe futbollistët, duke u dëshiruar suksese në të ardhmen. “E çmoj jashtëzakonisht shumë angazhimin dhe vullnetin tuaj, si dhe faktin që e keni marrë me seriozitetin e duhur punën në këtë grumbullim. Vazhdoni të punoni maksimalisht sepse kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara, ngase në muajt në vazhdim ju presin shumë sfida dhe ne presim të na përfaqësoni sa më denjësisht. Jeni gjeneratë e re dhe premtuese, andaj jam i bindur se nga këtu do të dalin emrat e ardhshëm të Përfaqësueses A”, ka theksuar ndër të tjera nënkryetari Agim Ademi para djelmoshave të Përfaqësueses U19, duke e vlerësuar edhe stafin e trajnerëve për punën e palodhshme me këtë gjeneratë.
Ndërkohë, përzgjedhësi Ramiz Krasniqi, pas ndeshjes ka thënë se rezultati nuk ka qenë i rëndësishëm, por kjo ndeshje testuese i ka shërbyer në vlerësimin e futbollistëve. “Ka qenë një përparësi për ne sepse në këtë ndeshje kemi pasur përballë një kundërshtar mesatar. Të gjithë futbollistët që janë angazhuar në këtë ndeshje, veçmas ata të pjesës së parë, jemi munduar si staf t’i vlerësojmë maksimalisht për paraqitjen e tyre. Në përgjithësi loja ka shkuar mirë, me gjithë faktin që ekipi kundërshtar nuk ka qenë në nivel. Sidoqoftë për një grup të futbollistëve tanë ka qenë një paraqitje shumë e mirë dhe cilësore, derisa për të tjerët pres që ndoshta në ndeshjen e nesërme t’i kompensojnë ato dobësitë e shfaqura dhe të tregojnë diçka më tepër”, ka thënë Krasniqi.