4 nëntor, 2023 – Është përmbyllur turneu i radhës “UEFA Development U-15”, që u zhvillua në Tiranë, nën organizim të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë turne morën pjesë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Hungaria. Kjo e fundit doli fituese e turneut me tri fitore. E pikërisht ndeshjen e fundit Dardanët U15 e zhvilluan kundër Hungarisë, në të cilën pësuan humbje, me rezultat 2:0. Ndeshja ishte mjaft e luftuar, me hungarezët që ishin favoritë, por që edhe ekipi i drejtuar nga Ilir Nallbani arriti të krijonte raste të pastra për shënim, por pa pa arritur të gjejë rrugën e golit. Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:0, me golin e Norbert Kiss. Në pjesën e dytë të dy trajnerët bën zëvendësime të shumta, teksa Kosova ishte në vazhdimësi në kërkim të golit të barazimit. Dhe pikërisht kur Dardanët me të gjitha forcat ishin përqendruar në sulm, në minutat shtesë hungarezët shënojnë edhe golin e dytë pas një gjuajtje të David Timar. Përkundër faktit që në asnjërën prej ndeshjeve nuk arritën t’i gëzohen fitores, Dardanët U15 patën paraqitje të mira, por mungesë fati. Gjithsesi, ky turne do t’i shërbejë kësaj gjenerate për t’u zhvilluar tutje.