Sot më 16 maj, në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë u mbajt një konferencë për media në prag të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare Kosovë-Turqi që zhvillohet më 21 maj në Mitrovicë dhe Kosovë-Senegal që zhvillohet më 25 maj në Gjenevë. Fillimisht gazetarëve të pranishëm duke i falënderuar për pjesëmarrje iu drejtua sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, i cili theksoi se Turqia e ka nderuar popullin e Kosovës dhe FFK-në me këtë pjesëmarrje të Kombëtares turke në ndeshjen e dytë që Kosova po zhvillon pas asaj kundër Haitit. Përfaqësuesja e Turqisë do të vijë më 20 maj dhe do të vendoset në hotelin “Swiss Daimond” dhe konferencën me media do ta ketë në orën 17.00, me lojtarë, ndërsa përzgjedhësi Fatih Terim do t’u drejtohet gazetarëve në orën 17.15. Ne po ashtu falënderojmë KF “Trepça” që ka treguar mirëkuptim në ruajtjen e fushës për këtë ndeshje e po ashtu edhe KF”Trepça ‘89” meriton falënderim që i bëri mikpritje fqinjit të saj gjatë kësaj kohe. Nga ana e tij organizatori Agron Selmi përfaqësues i As Art&Event njoftoi mediat se edhe në këtë ndeshje do të ketë siguri të madhe, ndërsa biletat do të shiten përmes kompanisë ‘Money-gram’ dhe pikat e shitjes do të publikohen në ueb faqe të FFK-së dhe media. Ndërsa edhe përgatitjet edhe për ndeshjen tjetër kundër Senegalit po rrjedhin sipas dinamikës së paraparë dhe interesimi për këtë ndeshje është jashtëzakonisht i madh.