3 dhjetor, 2023 – Në një ceremoni të ndjeshme dhe plot emocion, sot në Mitrovicë, u përurura shtatorja e futbollistit të ri të këtij qyteti, Erion Kajtazi, një vit pasi u nda nga jeta në fushën e gjelbër, në ndeshjen e Superligës së juniorëve, A&N – Trepça’89, pas një sulmi në zemër.
Erion Kajtazi ishte një talent i jashtëzakonshëm, i cili la pas një trashëgimi të pashlyeshme në zemrat e familjarëve, bashkëlojtarëve, miqëve dhe tifozëve të futbollit.
Shtatorja e Erionit tashmë do t’ia shtojë hijeshin qytetit dhe do të jetë një simbol ku brezat e rinj do të frymëzohen për lojën e futbollit.
Stadiumi, që tani mban emrin e tij me krenari, do të bëhet një shenjë e pavdekshme e talentit dhe dedikimit të një futbollisti që u nda shumë herët nga jeta.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të vizitës në UEFA, presidenti Agim Ademi vlerëson lart të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj shtatorje, në veçanti klubin Trepça 89 dhe Komunën e Mitrovicës.

Kjo shtatore është jo vetëm shenjë nderimi e respekti për një lojtar i cili ndërroi jetë në fushën e pasionit të tij, por edhe një shprehje e dashurisë për futbollin si sporti më i popullarizuar në vendin tonë, si dhe frymëzim për gjeneratat e ardhshme të futbollistëve.

Erion Kajtazi do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe shtatorja e tij prej bronzi do të jetë një ndriçim i përjetshëm i futbollit kosovar.