Foto -nga konferenca-1Sot më 6 shtator në hotel “Sirius”, u mbajt konferencë për media para ndeshjes miqësore ndërkombëtare Kosova-Omani, ku morën pjesë përzgjedhësi i Omanit z. Paul Le Guen dhe kapiteni  Ali Alhbasi si dhe përzgjedhësi i Kosovës z. Albert Bunajki dhe kapiteni Anel Rashkaj. I pranishëm ishte edhe kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri e nënkryetari Agim Ademi. Mediat i ka përshëndetur së pari përzgjedhësi i përfaqësueses së Omanit, z. Paul Le Guen, i cili u shpreh i lumtur që është në Kosovë, duke falënderuar FFK-në për mikpritje dhe ftesën që të zhvillojnë ndeshje miqësore. “Besoj që nesër do të kemi një lojë të mirë me shpirt sportiv, sepse për ta bërë ekipin e mirë nevojiten edhe lojëra të mira. Ne do të kemi një turne të madh të futbollit në nëntor dhe shpresoj që kjo lojë do të na shërbejë shumë në këtë drejtim”, ka theksuar ndër të tjera Le Guen. Ndërsa, kapiteni i përfaqësueses së Omanit z. Ali Alhbasi, duke falënderuar FFK-në ka thënë: “Jemi të mahnitur nga mikpritja këtu në Kosovë. Dje kemi kryer edhe ritualet fetare dhe jemi mirëpritur kudo në qytet. Kur shkohet në një vend nuk mjafton vetëm të zhvillohet një lojë por edhe më shumë se kjo. Ndonëse nuk e njohim Kosovën ne shpresojmë se do të bëjmë një lojë të mirë, pasi siç e tha edhe trajneri im na presin lojëra të vështira”. Nga ana e tij përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, z. Albert Bunjaku falënderoi shtetin e Omanit dhe federatën e futbollit të saj që kanë pranuar ftesën tonë për një lojë miqësore. “Kosova është një shtet i ri dhe më ketë edhe përfaqësuesen e kemi të re. Duke shfletuar shënimet pashë se disa futbollistë të Omanit kanë edhe nga 100 lojë ndërkombëtare, ndërsa për futbollistët tanë kjo është ndeshja e katërt. Gjithsesi pres një lojë të mirë dhe nga kjo të dalim me më shumë përvojë. Në taborin tonë po mbretëron një atmosferë e mirë dhe unë kam  besim te skuadra”. Ndërkaq, kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës z. Anel Rashkaj, duke falënderuar ekipin e Omanit, ka thënë se për neve kjo lojë është tejet e mirëseardhur për të marrë përvojë të mirë. “Ne kemi një pasqyrë të mirë për ekipin e Omanit dhe ata kanë një përvojë të mirë dhe një përformancë të mirë që treguan edhe në ndeshjen e fundit kundër Irlandës. Unë besoj se nesër do të zhvillojmë një lojë të bukur që do të kënaq të gjithë adhuruesit, por me shpresë që rezultati të jetë në favorin tonë”, ka thënë Rashkaj.