6 tetor, 2023 – Podujeva, një qytet që pulson me pasionin për futbollin, ka qenë stacioni i radhës i “Karvanit të Futbollit”, një event ky i organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës, në shpërndarjen e pasionit të Superligës në qytetet me skuadrat që bëjnë pjesë në ligën elitare.

Ky event ka shënuar një ditë të jashtëzakonshme për tifozët dhe qytetarët e Podujevës, ku ata kanë pasur mundësinë e rrallë të takojnë e të bëjnë fotografi me futbollistët e tyre të preferuar të FC Llapit, të marrin autografe nga ta, e disa prej tyre edhe të marrin si dhuratë nga një fanellë të promovimit të Superligës.

Benjamin Emini, kapiteni i FC Llapit, nuk ka hezituar të shprehej për ndjenjat e tij: “Festa ‘Karvani i Futbollit’ ishte një event i jashtëzakonshëm ku mblodhi shumë tifozë tanë të pasionuar. Ata kishin një dëshirë të madhe për të marrë fanellat me nënshkrimin e futbollistëve të tyre të preferuar. Mendoj që organizime të tilla janë të nevojshme për të ndërtuar lidhje më të thella me tifozët tanë. Organizimi i eventit ishte fantastik dhe ne e falënderojmë federatën për mundësinë”, tha ai.

Superliga e Kosovës po bëhet gjithnjë e më spektakolare dhe më emocionuese. Ndeshjet janë të mbushura me rivalitet dhe futboll cilësor, duke bërë që të jetë njëra prej ligave më interesante dhe më të ndjekura në rajon.

Karvani “Festa e Futbollit” vazhdon të shpërndajë pasionin e futbollit nëpër qytetet e Kosovës dhe të sjellë tifozët më afër skuadrave të tyre të zemrës. Ky event është një hap i rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e futbollit në vendin tonë dhe dëshmon se futbolli është më shumë se një lojë – është pasioni që lidh njerëzit dhe krijon emocione të pakrahasueshme.