1 shtator, 2017 – Pas fitores historike që realizoi Kosova U21 kundër Norvegjisë, 3:2, përzgjedhësi Rafet Prekazi dhe futbollistët u shprehën të lumtur që ndeshjen e pare në shtëpi e mbyllën me fitore, derisa përzgjedhësi norvegjez lavdëroi futbollistët kosovarë që nuk u dorëzuan pas disavantazhit prej dy golave.
Rafet Prekazi: Pas rezultatit 0:2 çdo skuadër e ka të vështirë të rikthehet, sidomos tani ne si Kosovë, duke e ditur nivelin që kemi, por djemtë treguan karakter dhe goli I parë na riktheu në lojë. Djemtë luajtën me vetëbesim, por edhe në aspektin taktik jemi përmirësuar nga ndeshja e kaluar. Kemi shfaqur disa dobësi në fillim të ndeshjes, por shpirti luftarak i lojtarëve tanë ka qenë vendimtar. Edhe pas kësaj fitoreje nuk guxojmë të fluturojmë, pasi jemi të vetëdijshëm si për kushtet që kemi ashtu edhe për kualitetin dhe përvojën e paktë në këto gara. Por, për një gjë ju siguroj se këta djelmosha nuk ia kanë frikën asnjë rivali.
Florent Hasani: Me këtë ndeshje jemi treguar të barabartë me norvegjezët edhe pse ata janë me kushte shumë para nesh. Ne kemi nevojë për kushte më të mira, duke filluar prej infrastrukturës, por edhe disa gjëra tjera për të cilat duhet të mendojë shteti ynë. Ne jemi futbollistë dhe e kryejmë punën tonë në fushë, por na duhet edhe mbështetja më e madhe. Goli? Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të shënosh për Kombëtaren. Këtë fitore e kemi arritur me angazhim maksimal të të gjithë ekipit.
Enis Bytyqi: Jam i lumtur për golat dhe për këtë fitore historike. Ky sukses është meritë e të gjithë ekipit. Kemi punuar shumë gjatë këtyre ditëve në grumbullim. E kemi analizuar ndeshjen e kaluar në Norvegji dhe kemi arritur t’i evitojmë disa nga gabimet e shfaqura atje. Edhe pas rezultatit 0:2 nuk u dorëzuam, por luftuam me zemër dhe në fund mundi nga u shpagua.
Leif Gunnar Smerud, përzgjedhës i Norvegjisë: Kosova luftoi shumë dhe e meritoi fitoren. Ata treguan karakter të fortë edhe pas disavantazhit 0:2, duke mos u dorëzuar për asnjë moment. Në futboll kur beson në vetëvete atëherë edhe suksesi nuk mungon. Kosova ka lojtarë shumë të mirë. Ne i lejuam që ata të kthehen në lojë dhe unë duhet ta pranoj se kjo humbje është përgjegjësi e imja. Nuk e kam vërejtur asnjë moment që skuadra ime e ka nënçmuar Kosovën, por thjeshtë ata luftuan me zemër. Sulmi i tyre ka qenë shumë i mirë.