27 tetor, 2018 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të presidentit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini dhe Gramoz Vokrrit, djalit të ish-presidentit, Fadil Vokrri, sot, kanë qenë mysafirë në kuadër të aktiviteteve të Samitit të Asociacionit të Gazetarëve Sportivë të Evropës Juglindore që po mbahet në Ohër. Gjatë këtij samiti Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës është bërë anëtare e SEEEA-s, për çka presidenti Ademi i përgëzoi drejtuesit e SHGSK-së. Gjatë këtij samiti u zhvillua edhe turneu në futboll, ku trofeun e golashënuesit më të mirë me emrin “Fadil Vokrri” e ndau pikërisht djali i legjendës së futbollit kosovar, Gramoz Vokrri. Gjatë këtij samiti u diskutua për tema të ndryshme, të cilat i preokupojnë gazetarët sportivë, por edhe asociacionet sportive, si: – Modalitetet dhe format se si mund të investohet në sport dhe cilat do të ishin sukseset nga skuadrat sportive dhe përfitimet nga ata që investojnë në sport; dukuritë negative në sport; huliganizmi; fair play; sporti dhe media, etj..