15 janar, 2024 – Me ftesë të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti i FFK-së, Agim Ademi po qëndron në Londër, në Gala Mbrëmjen “The Best FIFA Football Awards”. Kreu i FFK-së, i cili ka raporte tejet të mira me të parin e futbollit botëror në vazhdimësi është ftuar në çdo event të FIFA-s.
Para fillimit të ceremonisë, presidenti Ademi, i cili edhe në këtë event është në shoqëri të Armand Dukës, zëvendëspresident i UEFA-s dhe njëherësh president i FSHF-së, ka zhvilluar takime të rëndësishme me homologët e tij, duke përfshirë presidenten e Federatës Angleze të Futbollit, Debbie Hewitt, si dhe drejtorin e Federatave Anëtare të Evropës në FIFA, Elkhan Mammadov. Takimet janë shoqëruar me biseda të frytshme për futbollin, në ndërtimin e marrëdhënieve dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet federatave. Po ashtu, presidenti Ademi ka biseduar edhe me personalitete të njohura të futbollit botëror, duke përfshirë legjendën ukrainase të futbollit, Andriy Shevchenko.
Gala Mbrëmja “The Best FIFA Football Awards” do të nderojë më të mirët e futbollit në botë për vitin që e lamë pas.