9 korrik, 2018 – Në njëmujorin e vdekjes së legjendës së futbollit dhe presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri, sot pikërisht në orën 9.00, ku edhe ka ndërruar jetë i ndjeri, presidenti i posazgjedhur i FFK-së, z. Agim Ademi së bashku me bashkëpunëtorë sot bënë homazhe dhe vunë lule të freskëta mbi varrin e ish-presidentit Vokrri. Me këtë rast presidenti i ri z. Ademi tha se figura shumë komplekse e ish presidentit Fadil Vokrri, do të kujtohet me pietet dhe sa të ketë njerëz në këtë botë nuk do të harrohet. Unë bashkë me të tjerët zotohemi se do të shkojmë rrugës së lavdishme që ai ka ndërtuar dhe do të punojmë fortë për të mirën e futbollit të Kosovës. Do ta ruajmë me fanatizëm trashëgiminë që na ka lënë dhe kudo do të jemi krenar duke marrë forcë nga kujtimi për të.