30 tetor, 2022 – Ka vazhduar edhe sot aktiviteti me fëmijët e kryeqytetit “Futbolli i rrugës” në bulevardin “Xhorxh Bush” në afërsi të katedrales “Nënë Tereza”, në organizim të Federatës së Futbollit të Kosovës në kuadër të programit “Grassroots”. E këtij aktiviteti sot iu bashkua edhe presidenti Agim Ademi, i cili përveç se ndjeku nga afër shumë talente që ishin pjesë e këtij aktiviteti, i inkurajoj ata që t’u shmangen lojërave kompjuterike dhe të merren sa më shumë me futboll, e në këtë mënyrë t’i ndjekin ëndrrat e tyre për t’u bërë emra të njohur të këtij sporti. Po ashtu, ai luajti edhe disa minuta me fëmijët e kryeqytetit, duke iu premtuar se në të ardhmen do t’u krijohen sa më shumë hapësira të tilla për ta aplikuar lojën e futbollit. Kreu i FFK-së ka thënë se pjesë e rëndësishme e programit të tij “Bashkë për Futbollin 2022-2026” ka qenë pikërisht zhvillimi i futbollit të rrugës apo siç njihet ndryshe edhe si futbolli spontan. Ai ka thënë se FFK do t’i kushtojë vëmendje të madhe zhvillimit të këtij formati, duke pasur parasysh se pikërisht nga futbolli i rrugës kanë dalë edhe shumë emra të njohur futbolli. Ai tha se bashkë me institucionet lokale do të krijojnë mundësi që të gjithë fëmijët të kenë hapësira dhe kushte sa më të mira për ta zhvilluar lojën e tyre të preferuar. Ndërkaq, gjatë dy ditëve të kësaj fundjave në këtë aktivitet janë evidentuar disa talente në të dyja konkurrencat, e të cilët janë ftuar që në të ardhmen të bëhen pjesë e klubeve të futbollit.